VIDEO / Drejt fundit diktati i Mançester Sitit në Angli, mundet përsëri si Mançester Junajtid

Ndeshjet e sotme në Premier Ligë duket se kanë afruar më shumë fundin e diktatit të Mançester Sitit në kampionat, pasi skuadra e Pep Guardiolës ka filluar të humbasë terren ndjeshëm në krahasim me Liverpulin e kreut që duket i pagabueshëm. Sot, kampionët e dy sezoneve të fundit radhazi, janë mposhtur në shtëpi nga Ullvërhempton, duke treguar se ekipi nuk është më aq i qëndrueshëm sa më përpara.

Edhe pse dominoi si zakonisht mbajtjen e topit, ekipi i Guardiolës nuk u tregua aq cinik para portës, duke dërguar në kuadrat vetëm 2 nga 18 tentativat gjatë ndeshjes. Të kundërtën bëri ekipi mik i cili me dy goditje të Adama Traore ne fundin e pjesës së dytë, vulosi sfidën dhe siguroi 3 pikë shumë të rëndësishme për mbijetesën.

Edhe skuadra tjetër e Mançesterit, ajo e drejtuar nga Ole Gunar Solskjaer, është mundur sot nga një ekip mbijetese. Junajtid ka rënë me rezultatin 1-0 në fushën e Njukasëll, i ndëshkuar nga goli i Longstaf në minutën e 72-të. Me vetëm 2 pikë larg zonës së ftohtë të klasifikimit, situata e “djajve të kuq” bëhet problematike pasi nuk po duket askund kthesa që pritej nën drejtimin e trajnerit norvegjez. /vipsport.al/

Rezultatet
Arsenal-Bornmuth 1-0
Mançester Siti-Ullvërhempton 0-2

Sauthempton-Çelsi 1-4
Njukasëll-Mançester Junajtid 1-0