VIDEO / Asist për Kaçen, Larisa merr një pikë të luftuar në transfertë

Ergys Kaçe kthehet gjithnjë e më shumë protagonist me fanellën e AEL Larisës në kampionatin grek. Mesfushori shtatshkurtër është përshtatur shumë mirë me klubin e tij të ri, i dhënë në huazim nga PAOK dhe po luan rregullisht atje, duke u treguar edhe vendimtar me paraqitjet e tij.

Kështu ka ndodhur sot, në transfertën e komplikuar të AEL Larisës përballë Panetolikos, në fushën e këtij të fundit. Pak minuta para fundit të sfidës, skuadra e Kaçes e pa veten në disavantazh përballë vendasve të cilët i kishin përmbysur avantazhin fillestar.

Por nga një goditje dënimi e ekzekutuar mjeshtërisht nga mesfushori i përfaqësueses shqiptare, erdhi edhe goli i barazimit, pasi Kaçe gjeti saktësisht në zonë Moras, i cili me kokë dërgoi sferën në rrjetë. 2-2 dhe një pikë e rëndësishme për AEL Larisën, e cila mbetet larg zonës së ftohtë të klasifikimit dhe pranë grupit të ekipeve të cilat në këtë edicion kanë pretendime për të siguruar një vend në aktivitete ndërkombëtare. /vipsport.al/