Vata: Kampionati nuk jep garanci, më pëlqen një Gatuzo dhe Roi Kin në Kombëtare

“Kampionati nuk jep garanci dhe është i niveleve të dobëta”, kështu e ka përshkruar legjenda e futbollit shkodran, Rudi Vata kampionatin shqiptar. Për emisionin “Pressing”, Vata u shpreh se Superiorja është në mjerim duke u ndalur edhe te Kombëtarja shqiptare.

Për kuqezinjtë, ai ka fjalë të mira duke e konsideruar ekip të konsoliduar megjithëse shton se ka nevojë për shumë brutalitet në mesfushë. Ai e konsideron Gjasulën një futbollist të mirë megjithëse shton se do t’i pëlqente një tip si Gatuzo apo Roi Kin.

“Kjo kombëtare të gëzon, po rinovohet dhe ka futur gjakun e ri. Ishte e domosdoshme. Fatmirësisht pas viteve ’90 shumë shqiptarë emigruan dhe e gjitha është produkt i atyre që kanë lindur në Europë. Kampionati është i nivele të dobëta dhe nuk jep garanci për të ardhmen, pasi është në një mjerim të tillë. Mungon infrastruktura dhe edukimi. Fatmirësisht që kemi këto djem që kanë lindur në Europë dhe na përfaqësojnë dhe na japin krenarinë e nevojshme”.

“Shikoj që në ekipin kombëtar, në mbrojtje jemi të konsoliduar. Normalisht është një mbrojtje fuqishme, janë të rinj dhe ruajnë pozicionin. Ndoshta na mungon një mesfushor mbrojtës. Më pëlqen të kemi një Gatuzo, një Roi Kin, që të rikuperojë topa me pak brutalitet. Gjasula është i mirë, por i mungon ai brutaliteti. Sot u shënuan katër gola, pasi nuk kishim presion. Me Turqinë kishim presion, por luajtëm mirë. Në fund humbëm. U fitua një farë vlere, pasi të fitosh 0-4 në transfertë ka vlera. Kjo të jep shpresë,. Brezi i ri që po afrohet është i duhuri dhe shpresoj të qëndrojnë me këmbë në tokë. E ardhmja duket e mirë.

“Mendoj që Reja me eksperiencën që ka, nuk ka më të aftë. PO të ketë mbështetje dhe mos t’i ndërhyjnë, mund të bëjë mirë. Shpresoj t’ia rinovojnë kontratën dhe të vazhdojë në këtë rrugë të nisur”, tha Vata. /VipSport.al/