Vangjeli tregon ekipet pretendentë: Më ka bërë përshtypje Bylisi, besoj te Tirana

Kristi Vangjeli u rikthye në Shqipëri pas një eksperience të shkurtër në Australi me skuadrën e Adelaide. Ish-mbrojtësi i Skënderbeut, vendosi të vijojë karrierën me Tiranën, teksa në një prononcim për Supersport u shpreh se beson te ekipi i tij dhe kërkon të fitoj trofe. Ndër të tjera, 34-vjeçari theksoi se ai barazim me Flamurtarin në Vlorë, ende djeg. Aventura në Australi? “Doja një eksperiencë tjetër në një kampionat që nuk e njihnim. Është një futboll ndryshe nga ai në Europë. Shkova në sezonin e dytë, por vendosa të rikthehesha te Tirana. Prioritet e mia kanë qenë të mëdha, kudo kam luajtur. Atë dua edhe te Tirana, të fitoj trofe.

Barazimi me Flamurtarin? Gjatë këtyre javëve, kemi humbur me Partizanin dhe Kukësin, por sidomos ai barazim me Flamurtarin na ka djegur më shumë. Pikët me ekipet e vogla, si Flamurtari, që kishte probleme, do të na nevojiteshin më shumë në fund. Ai barazim në ka lënë pak pasoja, sepse duhet ta kishim mbyllur më parë ndeshjen. Gabimet në mbrojtje? “Duhet të kemi këtë qetësi që kemi tani, pas fitores me Laçin, t’i zgjidhim brenda problemet që mund të kemi. Çfarë nuk funksionon? Ekipi ka funksionuar mirë, ka shprehur lojë te mirë. Prandaj na vjen keq, sepse nga gabime individuale jemi ndëshkuar. Pra nuk kemi probleme në mbrojtje, e kemi marrëdhënien shumë të mirë në ekip. Më jep siguri dhe kënaqësi fakti që ekipi, edhe kur ka humbur, ka prodhuar, Kam besim se do të ketë vazhdimësi Tirana.

Diferenca të vogla mes ekipeve? Sezonin e kaluar ka patur lojtarë të huaj dhe shqiptarë që bënin diferencën, ndërsa sot nuk ka diferenca mes ekipeve. Më ka bërë shumë përshtypje Bylisi, që ka ndërtuar një skuadër shumë të mirë. Besoj se 2-3 skuadra do të jenë pretendente deri në fund. Skënderbeu? Është bërë një punë shumë e madhe aty. Afrimi i Dajës u ka dhënë më shumë besim drejtuesve dhe tifozëve. Ai e njihte shumë mirë ambientin. Besoj se Skënderbeun do të jetë afër ekipeve që luftojnë për titull. Gara e titullit? Partizani, Kukësi dhe Teuta janë ndërtuar për të qenë protagonistë deri në fund. Bashkë me Tiranën do të jenë ekipet që do të luftojnë për titullin”, tha Vangjeli.