UEFA vendos të enjten për Turqinë, një juventin detyron lojtarët të festojnë si ushtarë

Festimet ushtarake të Turiqsë në ndeshjen me Shqipërinë me siguri do të kishin kaluar pa telashe për këtë përfaqësuese dhe lojtarët e saj, nëse ata nuk do të kishin përsëritur të njëjtën gjë edhe në Francë, në stadiumin e Kampioneve të Botës. Pamjet e tyre duke festuar në të njëjtën mënyrë para tifozëve pas barazimit ndaj Francës bënë xhiron e rrjeteve sociale e tashmë janë kthyer në një problem të madh për UEFA-n.

Ndaj çështja në fjalë do të shqyrtohet që këtë javë në Komisionin e Disiplinës, që mblidhet të enjten, me një vendim të shpejtë që duhet marrë për të mbyllur sa më parë çështjen e sidomos për t’i dhënë fund këtyre festimeve që rrezikojnë të përsëriten në vende të ndryshme të Europës gjatë fundjavës apo edhe në turneun që UEFA ka më shumë për zemër, Ligën e Kampioneve.

Ndërkohë, në media ka filluar të shfaqet edhe roli i shumë futbollistëve në këto festime. Për shembull Kan Ajhan, ai që shënoi golin ndaj Francës, as nuk shkoi të festonte me pjesën tjetër. Merih Demiral u mundua që ta bindte por lojtari i Fortuna Dyseldorf refuzoi duke shkuar në pjesën tjetër të fushës.

Pikërisht Demiral shihet nga të gjithë si “shefi” i cili detyron të tjerët të veprojnë në një mënyrë që qartësisht u është urdhëruar. Ai ishte i pari që bëri festimin ndaj Francës duke udhëzuar edhe lojtarët e tjerë që ta ndjekin, edhe pse Ajhan nuk iu bind. Lojtari i Juventusit luajti ndeshjen e tij të 10 me përfaqësuesen turke dhe është kthyer në titullar fiks të saj. Por roli i tij në këto shfaqje por politikave të Erdogan mund ta penalizojnë në vazhdimin e karrierës, sidomos te Juventusi që përpiqet t’u qëndrojë sa më larg skandaleve të tilla. /vipsport.al/