U transferua nga Atalanta te Spal, ja pozicioni i Berishës mes 50 më të mirëve në Serinë A

Duke qenë se kampionatet do të jenë të ndërprera në këto ditë për shkak të grumbullimit të Kombëtareve, portali italian “Tuttomercato” ka vendosur të bëjë bilancet për këto shtatë javë të para të Serisë A, teksa ka përzgjedhur 50 futbollistët me paraqitjet më të mira. Siç dihet pjesë e këtij kampionati prestigjioz europian janë edhe shumë futbollistë shqiptarë.

Portieri Etrit Berisha është një prej tyre që prej vitesh bën pjesë në elitën e futbollit italian. Gardiani i Kombëtares së Shqipërisë, u transferua këtë sezon nga Atalanta te skuadra e Spal, ku me paraqitjet e tij është nga lojtarët më të mirë të skuadrës. Në renditjen e portalit italian, Berisha renditet në vendin e 18, me një mesatare note 6.57 për ndeshje.

“ Në sezonin e kaluar te Atalanta, dueli me Golinin u fitua nga italiani. Por, Berisha gjeti menjëherë vend në Serinë A falë transferimit te Spal, që kërkonte një zëvendësues të besueshëm pas Vivianos. Deri në këtë pikë të sezonit, është ndër të vetmit aspekte pozitivë të skuadrës. Disa performanca të shkëlqyera, sidomos paraqitja e tij ndaj Juventusit”, shkruhej për Berishën.

/Egi Çabeli-VipSport.al/