Trajneri i Vllaznisë në samitin e Katarit, Jonuz përkrah Poçetinos, Krespos dhe shumë emrave prestigjiozë

Trajneri i Vllaznisë, Mirsad Jonuz, prej dy ditësh ndodhet në Doha të Katarit, ku është i ftuar në samitin botëror të futbollit të titulluar “Performanca e futbollit dhe shkenca”, që organizohet nga “ Aspire Academy”.

Së bashku me trajnerin e shkodranëve janë edhe disa emra prestigjiozë të futbollit të cilët kanë lënë gjurmë në të kaluarën e tyre si futbollist si Krespo, Eto apo edhe nga ata aktualë të cilët vazhdojnë të jenë pjesë e skenës kryesore si trajneri i Totenhemit, Mauricio Poçetino. Eventin në të cilin po merr pjesë trajneri e ka njoftuar vetë klubi i Vllaznisë nëpërmjet faqes zyrtare në rrjetet sociale.

Postimi i klubit të Vllaznisë:

Trajneri i Vllaznisë Mirsad Jonuz prej dy ditësh ndodhet në Doha të Katarit, aty ku po merr pjesë në një samit botëror të organizuar nga “Aspire Academy” të titulluar “Performanca e futbollit dhe shkenca”. Ai është ftuar në këtë samit nga drejtuesit e kësaj Akademie, për të qenë i pranishëm bashkë me shumë personalitete të tjera të futbollit botëror dhe përfaqësues të shumë klubeve dhe federatave nga vende të ndryshme.

Jonuz ka shfrytëzuar ndërprerjen e kampionatit tonë këtë javë dhe ka udhëtuar drejt Katarit për të marrë pjesë në këtë eveniment shumë të rëndësishëm ku në rolin e lektorëve kanë qenë emra të tillë si Mauricio Pochettino, Felix Sanchez, Hernan Crespo, Heimir Hallgrimsson, Slavisa Jokanoviç etj. Trajneri i ekipit kuqeblu po ashtu, ka zhvilluar edhe shumë takime duke biseduar për mundësinë e krijimit të urave të bashkëpunimit me Vllazninë. Samiti përfundon sot dhe trajneri Mirsad Jonuz do të kthehet menjeherë në Shkodër për të vijuar punën me ekipin dhe përgatitjet për ndeshjen e rradhës me Partizanin.