Trajneri i Vllaznisë kthehet nga Katari, ftesë ish-sulmuesit të njohur dhe trajnerit Solari për të ardhur në Shkodër

Trajneri i Vllaznisë, Mirsad Jonuz prej tre ditësh ndodhej në Katar, teksa ishte i ftuar në samitin botëror të organizuar nga ‘Apire Academy’, i titulluar “Performanca e futbollit dhe shkenca”. Në Doha, tekniku maqedonas i kuqebluve pati mundësinë të ishte pranë shumë personaliteteve botërorë të futbollit si trajneri i Totenhemit, Mauricio Poçetino apo edhe ish-tekniku i Real Madrid, Santiago Solari.

Sakaq, nuk mungoi edhe takimi me dy ish-sulmues mjaft të spikatur si Hernan Krespo dhe Samuel Eto. Tashmë, Mirsad Jonuz është kthyer në Shkodër me impresionet më të mira nga Doha e Katarit, teksa është shprehur se ka ftuar gjithashtu edhe Eto e Solari që në një të ardhme të afërt të udhëtojnë drejt qytetit të Shkodrës.

Ndërkohë, ftesa nuk ka munguar edhe për zëvendëspresidentit të Akademisë ‘Aspire’ të Dohas, për një bashkëpunim të mundshëm me Vllazninë. Ndërkaq, duke lënë pas eksperiencën pozitive, tekniku Jonuz ka nisur nga puna për ndeshjen e ardhshme në kampionat ndaj Partizanit në ‘Loro Boroçi’.

/Egi Çabeli-VipSport.al/