Trajneri i ri ndryshon rregullat, Pioli prish traditën te Milani

Stefano Pioli vendos rregullat e tij te Milani dhe duket se e para është ajo e prishjes së një tradite të vjetër të kuqezinjve, të përforcuar sidomos në periudhën e Rino Gatuzos si trajner. Bëhet fjalë për grumbullimin në klub për ndeshjet një natë para sfidave që luhen në shtëpi.

Trajneri i emëruar vetëm në javën e kaluar në stolin e kuqezinjve, ka ndryshuara mënyrën se si ekipi do të përgatitet për duelin ndaj Leçes që luhet të dielën në darkë. Kështu, të shtunën pasdite lojtarët e Milanit do të bëjnë përgatitjet e fundit për sfidën dhe do të darkojnë në qendrën sportive të Milanelos.

Por më pas, të gjithë do të lihen të lirë të kthehen në shtëpitë e tyre për të kaluar natën, me të vetmin kusht që të nesërmen të jenë të gjithë në klub për të konsumuar mëngjesin bashkë e më pas për të përgatitur sfidën.

Gatuzo e kishte cilësuar shumë të rëndësishme darkën para ndeshjeve të gjithë së bashku, për ta cilësuar klubin si një familje. Por Pioli i mendon gjërat ndryshe dhe ka insistuar që kjo traditë të marrë fund dhe lojtarët të jenë më të lirë në zgjedhjet e tyre. /vipsport.al/