Trajneri i Moldavisë nuk u shfaq në konferencën për shtyp: Ka probleme shëndetësore

Trajneri i përfaqësueses së Moldavisë, Semion Altman, ka pasur probleme shëndetësore pas humbjes së katërt radhazi të ekipit që ai drejton, për herë të dytë me shifrat 4-0 në shtëpi. Tekniku mori drejtimin  e moldavëve gjatë verës por deri tani nuk ka gjetur çelësin e suksesit dhe ekipi është shfaqur shumë negativisht në 4 ndeshjet e drejtuara prej tij duke regjistruar 4 humbje dhe golavarazhin 0-12.

Në konferencën e djeshme për shtyp, gazetarët kanë pritur më kot teknikun që të shfaqej para tyre, por në vend të tij ka dalë asistenti Vladimir Tsitkin. “Trajneri ka një problem të vogël shëndetësor dhe nuk mund të flasë në këto momente”, tha ai, duke bërë të qartë se 73-vjeçari nuk mund të paraqitej në konferencë.

Megjithatë, në mediat moldave kjo argumentohet praktikisht si një tërheqje e teknikut ukrainas, i cili duket se nuk do të vazhdoj të drejtojë më një përfaqësuese të cilën e kanë refuzuar shumë lojtarë në muajt e fundit. Bilanci i tij negativ është kritikuar edhe nga mediat e tifozët. Ndaj mendohet se ish-ndihmësi i Oleg Bllohin, shumë shpejt do të gjejë akordin për ndërprerjen e kontratës me Federatën Moldave. /vipsport.al/