Tifozi unik me katër këmbë, Jardli ka abonim në stadiumin e klubit që u tall me Panuçin

Nëse do të rastisë të ndiqni një ndeshje të FC Pollok në Skoci, në tribunën e stadiumit do të shihni edhe një tifoz të veçantë. Quhet Jardli dhe është një qen i racës Retriever, i cili për çudinë e të gjithëve është një i abonuar në çdo ndeshje të cilën e ndjek me kureshtje.

Historia është shumë e veçantë, pasi David, pronari i Jardlit, dëshironte shumë që të merrte qenin në stadium, por klubi me të cilin është tifoz, St. Mirren në elitën e futbollit skocez, nuk lejon kafshë në tribuna. Si rrjedhojë, ai pak për humor e pak për të kaluar kohën, vendosi të ndiqte ndeshjet e FC Pollok në kategorinë e tretë, duke i blerë qenit një biletë në tribunë disa vite më parë. Duke parë se Jardli po ndiqte me kuriozitet dueli, tradita vazhdoi.

Tashmë Jardli shihet dimër e verë në tribunat e stadiumit dhe ka marrë aq shumë famë, sa që presidenti i klubit po mendon që ta bëjë anëtar nderi. Te FC Pollok në fakt shquhen për bëma të tilla. Vitin e kaluar, klubi skocez shfrytëzoi stërvitjen e përfaqësueses shqiptare në fushën e saj para ndeshjes me Skocinë për t’u tallur pak me Kristian Panuçin, duke postuar një foto me të e duke e emëruar si trajnerin e ri të skuadrës së kategorisë së tretë skoceze. /vipsport.al/