Të gjithë gati, Jonuz dhe Vllaznia përgatiten për “kokën” e Partizanit

Vllaznia është duke menduar për ndeshjen e radhës me Partizanin, ku në Shkodër, skuadra kuqeblu pritet që të ketë një mbështetje të madhe këtë herë. Kuqeblutë kanë aktualisht 12 pikë dhe janë në krye, duke bashkëkryesuar me Bylisin dhe Teutën, ndërsa synimi i tyre është që të mundin edhe të kuqtë.

Shkodranët janë në një formë mjaft të mirë dhe kanë “uri” për fitore e gola dhe këtë e treguan edhe në testin me skuadrën e U-19 në fundjavën e shkuar. Skuadra kuqeblu dhe trajneri Mirsad Jonuz në këtë ndeshje do të jenë të plotë dhe synimi është marrja e tri pikëve ndaj Partizanit.

Është një nga sfidat e pakta, ku trajneri Jonuz do ta ketë skuadrën e plotë, ndërsa pas pushimit dyjavore, tashmë Vllaznia rihyn në kampionat më solide dhe me më shumë ambicie, aq më tepër që tashmë është afrimet e shumta të verës janë ambientuar më së miri me Shkodrën dhe kampionatin shqiptar.

E.S./Vipsport.al/