Te Arsenali duan të heqin qafe Ozil, janë gati t’i paguajnë edhe rrogën

Një vit më parë u bë i padëshiruar te përfaqësuesja gjermane. Këtë vit, e ka radhën Arsenali që do të heqë qafe sa më parë Mesut Ozil, i cili nuk bind trajnerin Unai Emeri, që e ka lënë në vazhdimësi në tribunë e pankinë duke mos i dhënë mundësinë që të tregojë vlerat e tij.

Trajnerit spanjoll, por edhe klubit tashmë, nuk i pëlqejnë as bëmat jashtë fushës së lojës dhe telashet që krijoi pas përplasjes me hajdutët e armatosur. Ndaj po mendohet një mënyrë se si të largohet sa më parë futbollisti. Klubi është gati të shesë kartonin e tij apo edhe ta japë në huazim duke paguar një pjesë të rrogës, në mënyrë që të zgjidhë këtë situatë.

Sipas “Daily Mail”, në klub nuk shohin të ardhme për gjermanin e për këtë arsye po studiojnë mënyrën se si të shpëtojnë edhe nga rroga e tij e lartë. Megjithatë, problemi është se e vetmja ofertë ka ardhur nga Fenerbahçe dhe ajo nuk plotëson kushtet ekonomike apo edhe projektin sportiv që kërkon Ozil, i cili dëshiron të mbetet protagonist në nivelet më të larta. /vipsport.al/