Talenti që po kalon çdo kufi, vlera e kartonit të Kumbullës rritet 40-fish brenda muajit

Marash Kumbulla është kthyer ne talentin e momentit në radhët e përfaqësueses shqiptare të futbollit. Mbrojtësi 19-vjeçar, përtej debutimit pak minuta me fanellën kuqezi ndaj Moldavisë, po spikat në radhët e klubit të Veronës, ku pakkush mendonte se mund të shpërthente që në moshë kaq të re e thuajse pa eksperiencë mbi supe,

Një vit më parë, ndër drejtimin e Fabio Grosos, atij nuk iu dha mundësia të zbriste në fushë, edhe për shkak të një dëmtimi që e penalizoi sidomos në pjesën e dytë të edicionit. Por me Juriç në drejtim, futbollisti në verë gjeti hapësira fillimisht në miqësore dhe sa filloi sezoni, u kthye në një element të paprekshëm në rreshtim në Serinë A.

Ky ishte shpërthimi i një talenti që premton shumë dhe nuk është rastësi që është rritur vlerësimi për të jo vetëm nga mediat dhe tifozët. Faqet e specializuara për merkaton e futbollistëve janë detyruar që brenda një muaji të bëjnë korrigjime të ndjeshme për vlerën e kartonit të futbollistit dhe rezulton që në muajin e fundit, ajo është rritur 40-fish.

Kështu, portali i njohur “Transfermarkt”, deri pak ditë më parë vlerësonte Kumbullën me vetëm 75 mijë euro, aq sa i rezervohet zakonisht të rinjve të akademive që nuk kanë eksperienca me ekipin e parë. Rreth një javë më parë, vlera e tij është modifikuar dhe ka kërcyer në 3 milionë euro. Një shifër jashtëzakonisht e lartë, e cila pritet të rritet edhe më shumë nëse vazhdon të luajë rregullisht me Veronën, pa harruar këtu edhe mundësitë e aktivizimit me fanellën kuqezi.

Ky vlerësim e ka bërë atë direkt futbollistin e katërt më të vlefshëm në radhët e përfaqësueses shqiptare, pas Strakoshës, Hysajt e Gjimshtit, me vlerë të barabartë me Berishën e Ndojin. Një fillim i shkëlqyer për djaloshin, tek i cili klubi i Veronës ka varur shpresat për mbijetesën në këtë sezon, por edhe për të përfituar financiarisht nga shitja e tij në të ardhmen. /E.Kuka/vipsport.al/

more recommended stories