Sulmuesi kërkon leje nga Bajern për t’u larguar, interesim nga Premier League dhe Interi

Tomas Myler duket se ka vendosur t’i japë fund ciklit të tij me Bajern Mynih. Sulmuesi ka kaluar të gjithë karrierën në Bavari, por në këtë sezon nuk e ndjen veten të rëndësishëm nën urdhrat e trajnerit Niko Kovaç. Të ardhurit e rinj në merkato si Kutinjo, Perisiç, Koman apo Gnjabri kanë bërë që minutat për 30-vjeçarin të jenë minimale.

Në pesë ndeshjet e fundit mes kampionatit dhe Champions League, tekniku kroat i ka ofruar lojtarit vetëm 66 minuta. Në këtë formë, Myler duket i shtyrë për t’u larguar nga Gjermania në kërkim të një aventure të re. Sulmuesi ka njoftuar klubin për idenë, ndërsa nga Premier League nuk mungojnë pistat për një transferim te Arsenali apo Mançester Junajtid.

Ndërsa, nga Italia, Interi është i vëmendshëm ndaj situatës duke qenë se në merkaton e verës bënë sondazhe për Myler. Mbetet të pritet merkato e janarit, pasi Myler në këtë situatë aktuale në skuadër, mendon vetëm të largohet.