Suksesi i parë pas 2 vitesh, Bushi: Kjo ishte fitorja e radhës, duam të mundim edhe Anglinë

Trajneri i përfaqësues shqiptare Shpresa, Alban Bushi, mendon se ky ekip mund të sigurojë rezultate të tjera pozitive, edhe pse fitorja e sotme ndaj Kosovës ishte e para në këto eliminatore. Në RTSH ai tha se skuadra ka ende mundësi të kualifikohet dhe do të kërkojë të bëjë mrekullinë ndaj Anglisë në ndeshjet e radhës.

“Kjo është fitorja e radhës me një kundërshtar të fortë si Kosova, një ndeshje me emocionet e veta. Jam i lumtur për fitoren se kishte shumë emocione. Lojtarët e kanë përjetuar shumë ndeshjen edhe isha në dyshim si do ta përjetonin në fushë, por në fushë ishin të qetë e të qartë dhe e merituan plotësisht fitoren.

Ndeshja ka emocione gjithmonë se janë tre rezultatet në lojë. Ishin ekipe të forta, me cilësi, që donin fitoren. Ne donim të parën, ata për të qëndruar lart, minutat e fundit janë gjithmonë emocionuese për ne, Zoti të ndihmon kur punon shumë dhe në fund u shpërblyem me fitore se kemi punuar shumë.

E rëndësishme është të krijosh raste, do të thotë që krijon lojë, jam i gëzuar që krijojmë, e mira do të ishte të shkonim në portë e ta zgjidhej me shpejt ndeshja. Por kur fiton të gjitha zerohen. Lojtarët duhet të punojnë vetë në klubet e tyre, mendoj se është një grup shumë i mirë lojtarësh e duke pasur parasysh që shumë i kemi në ekipin A. Jam i gëzuar për këtë grup dhe do të jenë pretendentë për ekipin A.

Shanset për kualifikim janë të vështira, se kemi bërë hap fals në Andorra dhe duhet ta riparojmë nga ndeshja në ndeshje, është me Anglinë shumë e rëndësishme për ne. Do të kërkojmë fitoren me Anglinë, pavarësisht emrit, për të parë shanset tona. Janë edhe 15 pikë në lojë. Jemi vend i vogël, kemi pak futbollistë por duhet t’i bëjmë hyzmetin. Kemi potencial, duke parë edhe atë humbje të Shqipërisë në Stamboll, shqiptari ka zemër të madhe.

Kampionati shqiptar ka rritje në zhvillimin e saj, klube të organizuara me futboll të bukur e trajner të mirë që i stërvitin mirë. Ne bazën nga kampionati ynë e kemi, pavarësisht oshilacioneve që kemi pasur në këto 20-30 vite e gjithçka u shkatërrua, tani po rregullohen dhe besoj se duke vazhduar kështu do të kemi cilësi më shumë”, tha Bushi. /vipsport.al/