Sot luhet derbi shqiptar, kuqezinjtë e Bushit sfidojnë Kosovën U21

Pas fitoreve që arritën të merrnin Shqipëria dhe Kosova mbrëmjen e djeshme, sot e ka radhën për të zbritur në fushë Shqipëria U21 e cila do të përballet me Kosovën U21. Ky takim është i vlefshëm për kualifikueset e Europianit, aty ku për Kosovën tashmë nuk është vetëm një ëndërr duke qenë se në 3 ndeshje numëron 6 pikë.

Nga ana tjetër, Shqipëria është në pozita më të vështira teksa numëron vetëm 2 pikë në 4 ndeshjet e para dhe kualifikimi është një ëndërr e cila mund të realizohet vetëm me një mrekulli. Dy skuadrat, do të synojnë natyrisht vetëm fitoren në “Elbasan Arena”, ndërkohë që pritet të jetë një takim mjaft emocionues duke parë faktin se përballë janë dy skuadra shqiptare.

Interesant është fakti që si te Kosova, ashtu edhe te Shqipëria ka futbollistë që kanë krijuar jo pak polemika me zgjedhjet e tyre. I tillë mund të konsiderohet edhe Valdrin Mustafa që sot luan me fanellën e Kosovës por dikur ishte me Shqipërinë. Takimi do të luhet duke nisur nga ora 19:00. /Erjon Allaraj-VipSport.al/