Situatë kaotike në grupin e Kosovës, UEFA refuzon të shtyjë ndeshjen e Anglisë

Anglia do të luaj të premten ndeshjen e radhës në kualifikueset e Europianit, aty ku përballë do të ketë skuadrën e Çekisë. Më shumë se rivaliteti në fushë dhe fakti që janë dy skuadra që synojnë kalimin më tej, interes të veçantë do të ketë sjellja e tifozëve në këtë ndeshje duke qenë se janë dy skuadra të cilat kanë ndër huliganët më të rrezikshëm në Europë.

Anglezët njihen për telashet e tyre në çdo stadium ku shkojnë dhe pas konsumimit të alkoolit dhe lëndëve narkotike, problemet nuk zgjidhen më as nga policia. Në të njëjtat kushte janë edhe çekët dhe në Pragë, nuk përjashtohet mundësia e konfrontimeve fizike mes huliganëve.

Kështu, policia e Anglisë ka nisur të mendojë për të ardhmen dhe ka kërkuar nga UEFA që të shtyhet ndeshja e Anglisë dhe të mos luhet të premten. Kjo për shkak se huliganët kanë fundjavën para dhe nuk i pengon asgjë që të jenë të shumtë në Pragë, teksa nëse luhet të hënën ose një tjetër ditë gjatë javës, numri i tyre do të ishte më i kufizuar për shkak edhe të angazhimeve të ndryshme.

Policia angleze arsyeton se në rast të ndonjë përplasjeje me pasoja të rënda në Pragë, do të rrezikohet edhe Europiani i vitit të ardhshëm pasi disa ndeshje do të luhen në Angli. Huliganët anglezë do të synojnë hakmarrje dhe për pasojë, mund të ketë trazira të mëdha. Megjithatë, UEFA nuk ka marrë parasysh asgjë nga këto dhe është e bindur: Ndeshja do të luhet të premten në mbrëmje. /Erjon Allaraj-VipSport.al/