Shqipëria U 19 triumfon në miqësore, kuqezinjtë e vegjël i nderon talenti i Tiranës

Shqipëria U 19 ka zbritur ditën e sotme në fushë ku përballë kishte moshatarët e Polonisë. Në stadiumin ‘Selman Stermasi’ kuqezinjtë triumfuan me rezultatin 3-1, teksa ai që rezultoi vendimtar ishte sulmuesi i Tiranës, Ernest Muçi.

Talenti i bardhebluve i cili ishte edhe me shiritin e kapitenit në krah, hapi llogaritë e takimit në minutën e 13, duke realizuar nga pranë portës. Me avantazhin e një goli u mbyll fraksioni i parë i lojës, ndërsa tetë minuta pasi kishte filluar fraksioni i dytë të besuarit e trajnerit Nevil Dede dyfishuan shifrat. Sërish ai që realizoi ishte Muçi, i cili konfirmoi cilësitë e tij prej sulmuesi.

Ndërkohë, në fundin e ndeshjes, miqtë u zgjuan dhe në minutën e 80 ngushtuan diferencat me Bialek. Por, nuk kishte vend për panik pasi kuqezinjtë gjetën edhe golin e tretë në minutën e 90 me autor Marvin Çunin, duke vulosur fitoren. Një test pozitiv ky për trajnerin Dede, i cili merr sinjal pozitiv në prag të ndeshjeve eliminatore për europian muajin e ardhshëm. /Egi Çabeli-VipSport.al/