Shqipëria fiton “në avion”, në Moldavi një ditë para vendasve

Shpeshherë jemi mësuar me planifikime të gabuara të udhëtimeve të përfaqësueses shqiptare, materiale që mungojnë apo vonesa avionësh të futbollistëve. Këtë herë mund të thuhet realisht se Shqipëria ndaj Moldavisë ka fituar në këtë aspekt, pasi udhëtimi drejt Kishinjevit është kryer në perfeksion dhe ka siguruar një fitore të vogël në krahasim me skuadrën vendase.

Këtë herë, ekipi përfaqësues shqiptar ka mbërritur në Moldavi një ditë para ekipit vendas, sado e çuditshme mund të duket kjo, pasi të dy skuadrat kanë luajtur të premten në darkë. Shqipëria realizoi udhëtimin e saj nga Stambolli të shtunën në darkë, duke bërë e çlodhur dy seanca stërvitore gjatë ditës së sotme.

Kurse për çudinë e të gjithëve, Moldavia arriti vetëm sot paradite nga Andorra, pasi nuk kishte gjetur fluturimet e duhura për të udhëtuar në ditën pas sfidës që kishte zhvilluar atje. Kështu, trajneri Altman pranoi se nuk kishte pasur kohën e duhur për të punuar me ekipin për ndeshjen me kuqezinjtë dhe do të mundohej që t’ia shpjegonte taktikat e lojës me vetëm një seancë stërvitore. Një fitore jo e vogël kjo në teori për përfaqësuesen kuqezi e cila më pas sigurisht duhet ta shprehë në praktikë në fushën e lojës. /vipsport.al/