Shkëmbi: Shpresojmë të qëndrojmë sa më gjatë në vendin e parë

Trajneri i Teutës, Bledi Shkëmbi, shpreson që skuadra e tij të fillojë të ambientohet me vendin e parë dhe të qëndrojë sa më gjatë në këto pozita. Pas suksesit kundër Flamurtarit, ai e ka cilësuar shumë të rëndësishëm ndeshjen e cila ishte e lehtë në letër.

“Komplimente futbollistëve se kemi gjithë javën që kemi punuar, kemi kërkuar të jemi seriozë duke e ditur që ishte ndeshje e vështirë, ose më saktësisht e dimë që më të vështira janë të ashtuquajtura të lehta. Jam i kënaqur nga futbollistët, kanë kërkuar maksimumin, por kemi pasur situata jo të mira ndonjëherë e janë normale në një ndeshje.

Teuta duhet të vazhdojë të luajë si në pjesën e dytë ku patën më shumë raste, pastaj të punojmë që katro raste të shënojmë ndonjë gol më tepër se asnjëherë në futboll nuk ndodh që të gjitha rastet të shënohen gola.

Kemi punuar për këtë mënyrë loje me krosime të Çyrbjes, më vjen keq që nuk u shfrytëzuan. Vazhdoj të kem besim dhe do të punojmë që të përmirësohemi më shumë. Sa i përket Avdylit, nuk diskutohet që në krah nuk është roli i tij më i mirë, por nuk mendoj se shkoi keq.

Në vend të parë duhet të jesh në ndeshjen e fundit, nuk ka rëndësi gjatë kampionatit. Por sa më shumë të rrish lart, aq më shumë ambientohesh dhe shpresojmë që të qëndrojmë sa më gjatë aty”, tha Shkëmbi. /vipsport.al/