Shkëmbi: Më bëhet qejfi për Skënderbeun, të gjithë meritojnë një bravo

Trajneri Teutës, Bledi Shkëmbi, e pranon se skuadra e tij ka bërë pak që të merrte tri pikët në ndeshjen ndaj Partizanit. Në “Rubrika Sportive” ai deklaroi se renditja do të shihej më mirë në fazën e dytë.

“Në fund barazimi kundër Partizanit është i drejtë. Si shkoi loja duhej të kishim bërë diçka më shumë, me atë që dhamë në fushë në pjesën e dytë mendoj se është rezultat i drejtë.

Ndeshjet pa tifozë janë disavantazh për çdo skuadër. Mendoj që pa tifozë është shumë e vështirë që lojtarët brenda në fushë të motivohen, pavarësisht nëse kishte edhe tifozë kundërshtarë. Kjo ndeshje do ishte e bukur më tifozë.

Ne e menduam më të thjeshtë ndeshjen në pjesën e dytë, edhe nga rezultati. Mendoj se kemi bërë gabime, pësuam gol nga goditje standarte, e vështirë ta pësosh atë gol. Gabimet ndodhin, gaboi portieri ynë, por i vihet re më shumë se sa kur gabon sulmuesi. Në pjesën e dytë kemi bërë gabuime, duke filluar nga unë me disa ndryshime.

Nuk jam dakord që mund të fitonte Partizani ndeshjen se në fund kishim ne rastet më të pastra. Duhej të bënim më shumë për të qenë më afër portës së Partizanit, lojtarëve të mi dua t’u bëj komplimente për atë që kanë bërë deri tani. Ne bëjmë analiza për ekipet si të jemi në Spanjë me ekipe spanjolle. Por të kujtojmë që ka kundërshtarë përballë, ndoshta edhe më të zot.

Renditja është momentale, faza e dytë do të tregojë se ku janë ekipet. Është e vërtetë që nuk po merret vesh ky kampionat. Ka emra me cilësi por në fushë pak bëjnë diferencën. Objektivat janë minimumi ku ishim vjet por do të dëshironim të shkonim pak më lart në këtë sezon”, tha Shkëmbi.

 

Për ngjitjen e Skënderbeut në kreun e renditjes

“Më bëhet qejfi për Skënderbeun se ku është. Të gjithë meritojnë një bravo, nga presidenti te lojtarët e trajneri për punën që kanë bërë. Kjo, sepse nuk është e lehtë të luash e motivohesh në ato rrethana duke ditur dënimin 10-vjeçar apo gjëra të tjera. Më bëhet qejfi dhe mendoj se Skënderbeu do të jetë kockë e fortë për këdo deri në fund”. /vipsport.al/