Shaqiri: Nuk kam pasur asnjë problem me Klop, nuk pendohem për transferimin te Liverpuli

Xherdan Shaqiri aktualisht nuk është i disponueshëm për Liverpulin dhe Kombëtaren e Zvicrës për shkak se po vuan nga një dëmtim i marrë në stërvitjen e të kuqve. Sulmuesi edhe në këtë sezon, ashtu si ai i kaluari, nuk ka gjetur shumë hapësira në formacionin e trajnerit Jurgen Klop.

Mirëpo, në një intervistë të fundit, Shaqiri shprehet se asnjëherë nuk ka pasur probleme me teknikun gjerman edhe pse është normale të mos jetë i lumtur prej aktivizimit të pakët. “ Sigurisht që jam i pakënaqur për aktivizimin e pakët. Nëse ky nuk do të ishte reagimi i një profesionisti, atëherë ai është në profesionin e gabuar.

Trajneri Klop nuk mund të diskutoj pozicionin e çdo lojtari, kjo  është normale. Kemi një skuadër me shumë talente dhe shumë duhet të presin për shansin e tyre. Por, nuk kam pasur asnjëherë asnjë mosmarrëveshje me trajnerin Klop. Ai e di që unë jam gati. Dhe nuk ka asnjë moment që të jem penduar për transferimin tim te Liverpuli”, u shpreh Shaqiri.

/Egi Çabeli-VipSport.al/