Shaland nuk nënvlerëson asnjë: Ndaj Gjibraltarit një provë e vërtetë, jemi budallenj nëse neglizhojmë

Kosova do të zbresë sot në fushë përballë Gjibraltarit në një ndeshje miqësore. Për “Dardanët” pritet të jetë një takim i lehtë në letër megjithatë trajneri Bernard Shaland ka kërkuar nga skuadra një angazhim maksimal në këtë ndeshje. Trajneri zviceran e ka konsideruar test tepër të rëndësishëm në prag të ndeshjes me Malin e Zi, ndërkohë që ka këshilluar edhe skuadrën që të mos nënvlerësojnë.

“Ndeshja ndaj Gjibraltarit është e rëndësishme për përgatitjen e takimit ndaj Malit të Zi. Thënë këtë, unë dua të shoh shumë gjëra, si futboll të bukur, agresivitet dhe një ndeshje të vërtetë. Dua të shoh të gjithë lojtarët që angazhohen maksimalisht dhe e trajtojnë si një ndeshje shumë të rëndësishme Gjibraltarin, jo si një miqësore. Lojtarët që do të kenë mundësi të luajnë, duhet të respektojnë kundërshtarin dhe të tregojnë angazhim maksimal.

E kam ndjekur Gjibraltarin ndaj Zvicrës dhe vura re një ekip shumë të organizuar, që ua bëri shumë të vështirë ndeshjen helvetëve. Nuk është një ndeshje e lehtë dhe nëse nuk bëjmë një punë të mirë, do të thotë se jemi budallenj. Është shumë e rëndësishme për mua, të shoh se si do të sillemi nesër në këtë takim. Në grup kemi shumë kundërshtarë të fortë, ndaj ishte koha që të luanim ndaj një kundërshtari disi më të lehtë, për të parë se si mund të shprehemi ndaj tyre.

Rashica është stërvitur i veçuar, por nuk do ta rrezikojmë, pasi besoj se do ta kemi gati për të hënën. Muriqi sot do të stërvitet normalisht, ashtu si Shala, Paqarada e Vojvoda. Besoj që çdo gjë do të jetë në rregull”, tha mes të tjerash Shaland. /Erjon Allaraj-VipSport.al/