Seferi e thotë sërish: Për Shqipërinë dëgjova zemrën, do të mbetet gjatë në memorie grumbullimi i parë

Taulant Seferi ishte një nga risitë në Kombëtare gjatë ndeshjeve kundër Turqisë dhe Moldavisë. Sulmuesi 22-vjeçar aktivizohet në kampionatin zviceran dhe ka qenë vazhdimisht pjesë e të rinjve të Maqedonisë, por vendosi të bashkohej me Shqipërinë U21 dhe siç e thotë vetë kumanovari, ai bëri një zgjedhje zemre.

Seferi ka dhënë një intervistë për klubin e Ksamaksit, skuadër me të cilën aktivizohet. Mes të tjerash, Seferi është ndalur edhe te ndeshja përballë Jang Bojsit, skuadër e cila mban edhe kartonin e tij dhe pranoi se do të dëshironte fitore ndaj skuadrës së tij.

“Grumbullimi i parë? Kam pasur momente shumë argëtuese me futbollistët dhe ishte një eksperiencë e mirë për mua dhe një javë me punë intensive. Shpresoja që të luaja por është trajneri ai që vendos. Unë vazhdoj të mbaj kujtime të bukura nga grumbullimi im i parë dhe ende shpresoj që të vazhdoj të thirrem në Kombëtare. Zgjedhja e Shqipërisë? Kam bërë ndeshje me të rinjtë e Maqedonisë por në fund dëgjova zemrën.

Jang Bojs? Jam shumë i lumtur që do të rikthehem të luaj në Bernë dhe shpresoj të kthehem me një rezultat të mirë. E respektoj Jang Bojsin por po luaj me Ksamaks dhe jam i fokusuar këtu. Kështu është futbolli, si profesionist do të jap gjithçka”, u shpreh Seferi. /Erjon Allaraj-VipSport.al/