Seferi: E kam ndjekur çdo herë Kombëtaren dhe e prisja ftesën, ambienti është pozitiv

Taulant Seferi është një nga risitë e trajnerit Edi Reja në Kombëtare. Sulmuesi i cili aktivizohet për Ksamaksin në Zvicër, në konferencën për shtyp para ndeshjes në transfertë ndaj Turqisë është shprehur se Kombëtaren e ka ndjekur çdo herë dhe se e priste një ftesë.

“E kam ndjekur çdo herë Kombëtaren jam shumë i kënaqur . E kam pritur ftesën, mendoj se jam mirë. E rëndësishmja është se ndihem mirë dhe do jap maksimumin tim në stërvitje. Këto 2 ndeshjet e fundit me klubin nuk kam luajtur nga fillimi se kisha një dëmtim të vogël. Tani besoj se ndihem shumë mirë.

Normalisht trajneri do të fusë ata që janë në formën më të mirë, Kombëtarja është shumë mirë, ambienti është pozitiv dhe jemi një grup i mirë. Në këto dy seanca nuk kemi punuar shumë taktikë, por aktivizohem kudo që të jetë. Jam duke luajtur si sulmues qendre, nuk e kam problem të luaj edhe anash, në formacionin 3-5-2 të trajnerit”, tha Seferi.