Sarri nuk e ndan dot se kush luan mes Higuain dhe Dibala: Jam krenar që trajnoj CR7

Mauricio Sarri ka folur në konferencën për shtyp para ndeshjes së nesërme të Juventusit në Ligën e Kampionëve ndaj Lokomotivës së Moskës. Tekniku bardhezinjve i pyetur se kush luan mes Higuain dhe Dibala është shprehur se e ka të vështirë pasi të dy janë në gjendje shumë të mirë fizike dhe psikologjike. Ndërkohë, 60-vjeçari theksoi se është krenar që trajnon Ronaldon.

“ Dua të them se Higuain dhe Dibala janë në gjendje të shkëlqyer. Edhe duke zgjedhur me anë të një shorti nuk do të gaboja. Të trajnoj Ronaldon është një motiv krenarie. Përtej kualitetit, është një lojtar i cili ka një mentalitet të jashtëzakonshëm. Është në evoluim të vazhdueshëm, në golin e 700 mendon për atë të 800-tin.

Ramsej dhe Danilo? Aron mendoj se nuk do të jetë i gatshëm. Nuk bëhet fjalë për probleme muskulore, por në stërvitje ka shenja lodhje dhe po punon për të forcuar muskujt. Danilo është rikthyer në stërvitje prej disa ditësh, por dyshoj se i ka në këmbë 90 minuta. Por nga pikëpamja e dëmtimit, është krejtësisht i rikuperuar”, u shpreh Sarri.