Salvador Kaçaj: Kush merr përsipër dështimin e Panuçit? Ai ishte fashist, ka poshtëruar lojtarët

Ish-futbollisti i përfaqësueses shqiptare, Salvador Kaçaj, mendon se Edi Reja nuk duhet të vazhdojë në drejtimin e kuqezinjve pas përfundimit të eliminatoreve të Euro 2020. Sipas tij, përgatitja e ndeshjes ndaj Turqisë kishte qenë perfekte, por në fund të eliminatoreve duhej ndryshim.

“Psikologjikisht ekipi ishte përgatitur shumë mirë për ndeshjen, meriton notën 10 pasi vendosëm në vështirësi Turqinë.  Por mendoj se trajneri Reja e ka mbyllur ciklin, të mbarojë këto dy ndeshje dhe të mbyllë ciklin. Të shkojë në shtëpi të gëzojë pensionin se nuk ka çfarë të reje t’i sjellë më ekipit.

Marrim trajner shqiptar, grup shqiptarësh, kemi këtu sa të duash të talentuar se tani i kemi ezauruar të gjitha. Tani është koha që të besojmë një trajneri shqiptar.

Kemi harruar dy vite dështimin e Panuçit, kush e merr përsipër dështimin, se dy vite kanë ikur kot, ishte gjysmë cikli i karrierës së lojtarëve. Pas Francës jemi në rënie, situata është përkeqësuar, jemi sipër Andorrës për momentin. Nuk kemi asnjë rezultat. Do ta shihni, po qëndroi ky trajner, nuk do të kemi asnjë lloj perspektive. Nuk kemi çfarë të flasim për Panuçin, ai ishte fashist, diktator, i ka poshtëruar lojtarët”, tha në “Sport News Plus” Kaçaj, i cili kritikoi edhe Strakoshën.

“Nuk kam parë një portier që del për topin duke kërcyer me duar poshtë. Kjo mendoj se vjen nga fakti se Strakosha ka shfaqur një formë të  dobët te Lacio. Nuk diskutohet vlera e tij, por po flasim për rastin konkret”, tha Kaçaj. /vipsport.al/