Rrëfimi i Kumbullës: Ëndrra për fanellën kuqezi dhe mbështetja e Juriç e Rejës, familja u emocionua shumë

Pesë ndeshje në Seria A me Veronën dhe një gol. Marash Kumbulla ka fituar një vend titullari në radhët e veronezëve dhe këtë synon që ta bëjë edhe me fanellën kuqezi. Kumbulla shihet si një nga mbrojtësit me perspektivë, që pritet t’i shërbejë për një kohë të gjatë Kombëtares sonë.

Ka qenë vetë trajneri Edi Reja që e ka zbuluar dhe këtë e thotë edhe vetë Kumbulla në një intervistë që ka dhënë për “Rtshsport”, ku ndër të tjera ka theksuar se: “Kam nisur që të luaj futboll që në moshën 8-vjeçare dhe kam ndjekur të gjitha hapat derisa unë shkova në ekipin e parë. Në fillim ka qenë thjesht një lojë për mua. Nuk kisha presion. Kur kuptova që mund të bëja diçka te Verona në ekipin e parë bëra shumë sakrificë. Tani që jam pjesë e ekipit të parë dua që të bëjë gjithmonë e më mirë”.

Trajnerët

Si Juriç te Verona, ashtu edhe Edi Reja, kanë qenë një “dashuri me shikim të parë” për mbrojtësin shqiptar. “Trajnerët më dhanë besim dhe duke ndodhur kështu kuptova që mund të luaj dhe të bëj më të mirën time. E ndieja edhe vetë që isha mirë. Trajneri Juriç më dha shumë besim në stërvitje dhe në ndeshjet miqësore te fazës përgatitore. Atëherë e kuptova që mund të luaja në ekipin e parë. Në korrik më thirri trajneri Edi Reja dhe më tha se i pëlqej si lojtar. E madje më ka ndjekur edhe në miqësore. Më tha që do të më thërrasë dhe isha shumë i gëzuar dhe emocionuar, por sidomos prindërit dhe familja ime. Nuk e prisja dhe kur më erdhi ftes, sigurisht që kam qenë shumë i gëzuar. Është shumë bukur kur luan në Kombëtare dhe shpresoj që të vijojmë kështu”, – tha Kumbulla ndër të tjera gjatë intervistës.

 

Seria A

Eksperienca në Serinë A, e sidomos kur luan titullar që në moshën 20-vjeçare, sigurisht që është një premtim për një të ardhme të sigurt. Por, natyrisht edhe konkurrenca është e madhe…“Është e vështirë, sepse lojtarët e rinj e kanë shumë vështirë që të luajnë në Serinë A, sidomos mbrojtësit. Sepse kur bën gabim pëson gol. Por, me një trajner si Juriç gjithçka bëhet më e lehtë, e madje kur shënova gol shkova me vrap tek ai dhe ja dedikova atij sepse më ka besuar duke më mbështetur shumë në karrierën time. Pas pesë ndeshjeve të shënosh gol është vërtetë diçka e madhe”.

Konkurrenca

Në fund, Kumbulla flet edhe për konkurrencën që ka gjetur me kuqezinjtë: “Ka shumë mbrojtësa në Kombëtare që luajnë në kampionate të tjera në Europë shumë të fortë. Ka konkurrencë dhe besoj se na bën mirë të gjithëve”, – tha Kumbulla i cili si një nga mbrojtësit me perspektivë të Kombëtares së trajnerit Edi Reja.

E.S./Vipsport.al/