Rrëfehet Ilir Daja: Europa pa Skënderbeun është vetëm 2 ndeshje, të trajnosh jashtë s’të pengon pasaporta!

Skënderbeu nuk është më ai që është mësuar ta shohë Korça në shtatë vitet e fundit, duke bërë jehonë në Europë, apo dhe në majat e futbollit shqiptar, ndonëse në javën fundit me fitoren që mori në shtëpi me Luftëtarin është në vend të parë. Trajneri Ilir Daja, në një intervistë për “Ora Neës”, rrëfehet dhe tregon se pse u rikthye në Korçë, ndonëse ofertat nuk i kanë munguar.

Por, jo vetëm, Daja në intervistën e gjatë dhe flet për lojtarët më të mirë që ka drejtuar, si e priti vendimin e KAS-it, ai bashkë me skuadrën, por edhe ndeshjen më të bukur me Skënderbeut në Kupat e Europës….“Europa për ekipet shqiptare është vetëm 1 apo 2 ndeshje, sepse nuk është më ai Skënderbeu që bënte histori. Duhet të jemi realist dhe ta pranojmë. Fakti që ne nuk luajmë në Europë, natyrisht që ndikon që skuadra të motivohet dhe të jetë ashtu siç jemi mësuar ta shohim Skënderbun”.

Rikthimi në Korçë

Daja tregon edhe arsyen pse u rikthye në Korçë…“I kisha dhënë fjalën presidentit Takaj dhe do të punoja në Korçë, dhe që para vendimit për të qenë realist e kisha bërë zgjedhjen, ndonëse kam pasur mjaft oferta. Por, që për etikë dhe duke qenë se ato ekipe i kanë trajnerët nuk është nevoja që të përmend emra. Më duhet të them se, kur erdhi vendimi që na ra si bombë nga KAS, unë isha aty dhe për hir të atyre viteve të bukura që kaluam duke qenë dinjitozë në Europa Ligë ndaj çdo kundërshtari vendosa që të jem në Korçë dhe t’i bëj ballë situatës bashkë edhe me pjesën tjetër të klubit. E gjitha që futbolli në Korçë të jetë faktor në kampionat dhe të jetojë…”

Lojtarët më të mirë

Kur e pyet Dajën se cilët janë lojtarët më të mirë që ka drejtuar, ai nuk ngurron që të përmenda disa, madje edhe të huaj, në shumë ekipe që ka drejtuar. “Kam stërvitur shumë lojtarë. Kur ke fituar tituj kampionë dhe Kupë Shqipërie, apo ke bërë gjithë këtë udhëtim në Europë dhe kalime turesh, unë do preferoja që të listoja kapitenët e ekipeve duke filluar që nga kapitenët. Nevil Dede, Arjan Pisha dhe Orges Shehi. Mund të lë ndonjë edhe pa përmendur, pa harruar Bejzade, Soue, Xhejms, Muzaka, Vangjeli..”.

Ndeshja historike

Ilir Daja, tashmë ka një karrierë të gjatë si trajner, duke drejtuar skuadra nga më të njohurat në vendin tonë, e madje duke fituar edhe shumë trofe të ndryshëm. Por, ai zgjedh një ndeshje si kulmin e karrierës së tij të deritanishme si trajner. Natyrisht që me Skënderbeun në Kupat e Europës…!“Ka qenë ndeshja në Europa Ligë me Dinamon e Zagrebit. Kemi harruar që për 20 minuta kemi luajtur mjaft mirë edhe pse kemi qenë me 10 lojtarë ndaj një ekipi shkollë futbolli që sot luan në grupet e Ligës së Kampionëve. Në atë ndeshje, e tërë Shqipëria u bë me Korçën. Vetëm Skënderbeu dhe një ekip nga Izraeli kanë shkuar deri në ture, duke e nisur që nga fillimi kompeticionin”.

Ofertat e huaja

Trajnerët shqiptarë janë pak të preferuar jashtë vendit, ndërsa Ilir Daja nuk ka këtë mendim. Sipas tij, ka trajnerë që me ekipet e tyre janë treguar dinjitoz dhe të aftë se mund të trajnojnë edhe jashtë vendit…“S’më pengon pasaporta, sepse ku kam drejtuar kemi luajtur jashtë dhe kemi bërë shumë. Realiteti normalisht duhet pranuar, por shpresojmë që me licencat në këto 15 vitet e fundit ku kanë ndryshuar rregullat dhe besoj se do të jemi dinjitozë. Kam pasur edhe oferta nga Arabia Saudite por nuk gjeta gjuhën. Pata ofertë edhe nga Shkëndija e Tetovës. Që do të thotë se edhe trajningu shqiptar ka mundësi që me këtë pasaportë të prezantohet. Por, nga eksperienca që unë kam, them se nuk të prezanton pasaporta, por rezultate në drejtimet e skuadrave të mëparshme. Mos harroni që në 3-4 vitet e fundit ka shumë trajnerë që kanë trajnuar këtu dhe sot ata kolegë drejtojnë në Kosovë, Maqedoni e gjetkë…”

Preferencat

Daja, natyrisht që ka edhe preferenca për kolegët e tij që drejtojnë jashtë vendit. Dhe kur e pyet se cilët janë trajnerët që ai preferon, tekniku nga kryeqyteti ka pohuar: “Më pëlqen Guardiola dhe Klopi për mënyrën se si e çojnë ekipin te porta kundërshtare. Por, më pëlqen edhe fakti nga mënyra si menaxhon grupet dhe lojtarët nga mënyra taktike. Dua që t’i shoh ekipet që ai drejton, pasi shpesh dua që të përfitoj nga skemat që t’i aplikojmë edhe vetë”, – tha Daja ndër të tjera në intervistën e tij.

E.Saliu/Vipsport.al/