Ronaldo e ka harruar Alegrin: Kemi ndryshuar dhe po luajmë më mirë. Duam “triplete”

Kristiano Ronaldo kërkon të fitojë gjithçka, si zakonisht, por këtë herë e thotë më me bindje dhe në konferencën për shtypa para sfidës së Juventusit në Ligën e Kampioneve, portugezi nuk ngurron as të lëshojë thumbime në distancë për Masimiliano Alegrin, duke argumentuar se me Sarrin është më mirë.

“Nesër do të jetë një ndeshje e vështirë, jam i lumtur që kam shënuar 700 gola dhe të 701 të shtunën në darkë. Por nesër do të jetë një ndeshje tjetër, në një turne që duam ta fitojmë. Respektojmë shumë kundërshtarin por luajmë në fushën tonë dhe ndjehemi favoritë.

Kemi ndryshuar shumë, nga trajneri te lojtarët, përdorim një sistem loje të ndryshëm dhe po luajmë më mirë. Do të japim maksimumin për të fituar sa më shumë që të jetë e mundur. Të fitojmë titullin, Kupën e Italisë dhe Ligën e Kampioneve, kjo është ajo që duam të bëjmë”, tha futbollisti para mikrofonave.

“Futbolli është një sfidë. Juventusi duhet të mendojë për gjëra të mëdha, një klub i tillë mendoj se duhet të veprojë kështu. Do të mundohemi që të fitojmë gjithçka, do të jetë e vështirë, por besoj se është e mundur hap pas hapi. Në aspektin individual vlen pak, nëse fitojmë si kolektiv, atëherë do të fitohet edhe në nivelin individual. Unë kaloj në plan të dytë”, tha Ronaldo. /vipsport.al/