Roma i kthen Çelsit mbrojtësin e Italisë, taktikë për të afruar Hysajn

Klubi i Romës duket se është gati të bëjë lëvizjen përfundimtare për të siguruar Elseid Hysajn që në merkaton e janarit. Mbrojtësi i përfaqësueses shqiptare është e qartë se nuk ka më të ardhme te Napoli dhe pas riaftësimit nga dëmtimi, do të kërkojë menjëherë një sistemim për të luajtur sa më rregullisht, në Serinë A apo në kampionate të tjera.

Alternativa kryesore tashmë është klubi i Romës, siç e shpjegoi edhe menaxheri i tij dy ditë më parë. Verdhekuqtë kanë bërë planin si të sigurojnë firmën e Hysajt, duke vazhduar negociatat e pjesshme të nisura në verë me Napolin i cili duket se tashmë do të dorëzohet e heqë dorë nga pretendimet e larta për futbollistin.

Mediat italiane bëjnë të ditur se Roma gjatë janarit do të kthejë mbrapsht te Çelsi mbrojtësin e djathtë Zapakosta, i cili u dëmtua e praktikisht ka mbyllur sezonin. Kontrata mes palëve ishte nënshkruar me huazimin deri në janar me rinovim automatik deri në fund të sezonit nëse plotësoheshin disa objektiva në lidhje me numrin e paraqitjeve. Por dëmtimi e bën të pamundur një gjë të tillë. Ndaj Roma pritet të kthejë që në janar futbollistin në Londër, për të synuar Hysajn, duke shfrytëzuar edhe hapësirën që i jep kjo lëvizje për të paguar rrogën e lojtarit shqiptar, e përafërt me atë të futbollistit të përfaqësueses italiane. /vipsport.al/