Renditja e lojtarëve të Kombëtares në UEFA, lideri është një mbrojtës

Kombëtarja e Shqipërisë ka mbyllur ndeshjet kualifikuese të muajit tetor me një humbje ndaj Turqisë, e cila ende djeg për mënyrën si erdhi, ndërsa në takimin pasardhës, kuqezinjtë rikuperuan duke marrë një sukses në transfertë me rezultatin 0-4 përballë Moldavisë.

Ndërkohë, në faqen zyrtare të UEFA-s, gjendet edhe renditja e lojtarëve shqiptarë, teksa ai që pozicionohet më lart është mbrojtësi Ardian Ismajli. Futbollisti i cili aktivizohet me Hajdukun e Splitit mban vendin e 153, duke grumbulluar një total pikësh prej 631. Sakaq, pas tij vjen sërish një mbrojtës.

Bëhet fjalë për Berat Gjimshitin. Lojtari i Atalantës në Serinë A ka koleksionuar 502 pikë dhe renditet në vendin e 247. Shkalla e fundit e podiumit është për Keidi Baren. Mesfushori zhvilloi ndeshjen e katërt si titullar i Kombëtares, ndërsa UEFA e ka renditur në vendin e 296 me 446 pikë. Pas tij vijnë me radhë, Veseli, Memushaj, Xhaka, Cikalleshi etj… /Egi Çabeli-VipSport.al/