Renditja e Kategorisë Superiore/ Java foli për Teutën dhe dy ekipet kryeqytetase

Është mbyllur edhe java e tetë e Kategorisë Superiore. Ekipet të cilat këtë javë u dalluan nga pjesa tjetër ishin Teuta dhe dy ekipet e kryeqytetit, Tirana dhe Partizani. Durrsakët hapën siparin për këtë javë në ditën e djeshme, teksa ia dolën të mposhtnin Flamurtarin me rezultatin 1-0. Falë këtij rezultati, por edhe pas barazimeve të Bylisit ndaj Luftëtarit dhe Skënderbeut ndaj Kukësit e disfatës së Vllaznisë, ia dolën të jenë të vetme në kryesimin e Kategorisë Superiore me 15 pikë.

Ndërkaq, pozitive ishin rezultatet edhe për Tiranën e Partizanin. Bardheblutë mposhtën në shtëpi Laçin dhe iu rikthyen rrugës së sukseseve pas tre ndeshjeve ku nuk fitonin. Falë rezultatit 2-1 ndaj kurbinasve, Tirana ngjitet në vendin e dytë me 14 pikë. Pas nuk ngelet edhe Partizani. Të kuqtë triumfuan 1-3 në një transfertë të vështirë si ajo ndaj Vllaznisë në Shkodër.

Falë këtij rezultati, Partizani është në të njëjtën kuotë pikësh me Tiranën, duke lënë pas Bylisin, Vllazninë e Skënderbeun. Megjithatë, java e ardhshme, mund të sjellë sërish ndryshime në klasifikim për shkak të diferencave minimale të pikëve. Kështu, Bylisi, Vllaznia, Skënderbeu por edhe Kukësi janë aty për të përfituar. Më të shkëputura janë Laçi, që pësoi humbje pavarësisht debutimit të trajnerit të ri Cungu. Ndërsa, Luftëtari mori një pikë pozitive përballë Bylisit, por mbetet në vendin e parafundit. Mbyll tabelën e klasifikimit, Flamurtari që duket i pashpresë në fundin e Superiores. /Egi Çabeli-VipSport.al/