Reagon Federata e Kosovës pas situatës në kufi me ekipin serb: Nuk luhen ndeshje zyrtare të Serbisë në Kosovë

Rreth incidentit në pikën kufitare të Jarinjës në ditën e sotme ku ekipi i Cërvena Zvezdës kërkonte të hynte në territorin e Kosovës për të zhvilluar ndeshjen e Kupës së Serbisë dhe u kthye mbrapsht nga autoritet kosovare, ka reaguar edhe Federata e Kosovës. Presidenti Agim Ademi është shprehur se zhvillimin e kësaj ndeshje në Kosovë e kanë kundërshtuar prej kohësh.

Ndërsa, theksoi se asnjëherë nuk do të lejojnë ndeshje zyrtare të Serbisë të zhvillohen në territorin e Kosovës pasi është kundër statusit të tyre dhe atij të UEFA-s. “Ne kemi qenë në dijeni për tentimin për ta zhvilluar këtë ndeshje, të cilën e kemi kundërshtuar qysh nga fillimi dhe kemi kërkuar nga autoritetet përgjegjëse në Kosovë ta përkrahin vendimin tonë për të mos e lejuar Crvena Zvezdën të hyjë në Kosovë.

Ne kemi qenë gjithmonë për promovimin e sportit dhe kemi lejuar organizimin e ndeshjeve bamirëse dhe atyre miqësore, mirëpo asnjëherë nuk do ta lejojmë zhvillimin e ndeshjeve zyrtare të Serbisë në Kosovë, sepse është kundër statutit tonë dhe të UEFA-s. Për ne është e rëndësishme që të mos lejohet zhvillimi i ndeshjeve të tilla në territorin e Kosovës”, u shpreh Ademi.