Qeveria franceze: Falënderojmë federatën turke, por nga UEFA kërkojmë dënim shembullor

Përshëndetja ushtarake që Turqia bëri sërish në Francë, ka kthyer polemikat në Europë duke e konsideruar diçka provokuese dhe skandaloze pasi i referohet luftës që ushtria turke po bën ndaj kurdëve. Në lidhje me këtë situatë, ka reaguar edhe ministria e sporteve në Francë.

Ka qenë pikërisht ministrja Roksana Marasin ajo e cila ka komentuar përshëndetjen e futbollistëve dhe ka kërkuar nga UEFA një dënim për ta. Marasin ka falënderuar federatën dhe policinë turke për bashkëpunimin teksa për skuadrën ka kërkuar dënim shembullor.

“Falënderoj federatën turke dhe policinë për punën e tyre që të siguronin mbarëvajtjen e ndeshjes. Futbollistët turq e prishën këtë marrëveshje me një përshëndetje ushtarake që është kundër çdo rregulli të sportit. Kërkoj nga UEFA që të ketë një dënim shembullor për ta”, u shpreh Marasin. /Erjon Allaraj-VipSport.al/