Presidenti i UEFA kthehet në Shqipëri për herë të parë pas votës, këtë radhë për të prerë shirit

Presidenti i UEFA-s, Aleksander Çeferin, do të kthehet përsëri në Shqipëri për herë të parë që nga koha kur erdhi në vendin tonë për të kërkuar votën nga FSHF për të marrë drejtimin e institucionit. Asokohe, avokati thuajse i panjohur slloven premtoi mbështetje për vendet e vogla dhe mori votën e FSHF-së, duke llogaritur që Duka u pozicionua në grupin që bëri lobing për të.

Këtë herë, Çeferin vjen në vendin tonë për të prerë një shirit, atë të stadiumit “Arena Kombëtare” pasi burime nga FSHF kanë konfirmuar se do të jetë i pranishëm në ndeshjen e parë zyrtare ndërkombëtare që do të luhet në këtë impiant, Shqipëri-Francë. FSHF po mendon ta kthejë në një ditë feste këtë ndeshje përtej aspektit sportiv dhe ka ftuar drejtues të Federatave të ndryshme, të cilët pritet të mbushin tribunën e impiantit të ri.

Më parë, ai do të testohet me ndeshjen e femrave mes Vllaznisë dhe Apolonisë, në mënyrë që gjithçka të jetë gati për këtë duel, i cili ndonëse nuk është konfirmuar ende zyrtarisht nga UEFA, ka pak gjasa të lëvizë nga kryeqyteti, edhe nëse çdo gjë nuk do të jetë në perfeksion siç kërkojnë ndërkombëtarët. /vipsport.al/

more recommended stories