Pësoi tre gola por “Eurosport” vlerëson Strakoshën, elozhe edhe për Kumbullën: U konfirmua!

Dita e sotme nuk ka qenë e lehtë për Thomas Strakoshën, pasi është detyruar që të nxjerrë tre herë nga porta topin në barazimin 3-3 ndaj Atalantës. Një rezultat i cili në fund mund të cilësohet pozitiv duke llogaritur se bergamaskët ishin në avantazh të tre golave në një moment të sfidës.

Ndonëse pësoi tre gola në këtë duel, vlerësimet për portierin shqiptar nuk kanë qenë negative, përkundrazi. Strakosha është cilësuar si mjaft pozitiv në paraqitjen e tij edhe nga “Eurosport”, i cili ka vlerësuar faktin se ishte i vetmi që mbajti në lojë Lacion në këtë sfidë në shumë momente.

“I pafajshëm në të tre golat e shënuar nga Atalanta. Përkundrazi, ai ishte i zot që të evitonte që kundërshtarët të shkëputeshin më shumë e në fundin e ndeshjes të gjenin përsëri avantazhin”, shkruante portali italian i rrjetit të njohur që i kishte vënë notën 6,5.

Një notë relativisht të lartë, 6, meritoi edhe Marash Kumbulla, edhe pse Verona e tij u mund 2-0 nga Napoli. “Pas ndeshjes së ëndrrave kundër Sampdorias, konfirmohet edhe në fushën e “San Paolo”. I vëmendshëm dhe reagues thuajse gjatë të gjithë ndeshjes”, shkruan “Eurosport” për djaloshin i cili pak ditë më parë debutoi me fanellën e përfaqësueses A. /vipsport.al/