Nuk i kanë besuar minuta në fushë, Juventusi kërkon ta përdorë Rabio si ‘mall shkëmbimi’

Deri më këto momente nuk ka qenë starti i ëndrrave për Adrien Rabio te Juventusi. Mesfushori francez u transferua me parametër zero gjatë verës nga bardhezinjtë, mirëpo trajneri Mauricio Sarri e ka aktivizuar me pikatore pasi gjendja fizike e futbollistit ende nuk është në nivelin e kërkuar. Sigurisht, te ky fakt ndikon edhe pjesa që 24-vjeçari nuk luajti me PSG për gjashtë muajt e fundit për shkak të mosmarrëveshjeve.

Megjithatë, përveç kësaj pjese, drejtuesit e Zonjës së Vjetër janë futur në mendime, nëse Rabio i bën vërtet punë skuadrës. Juventusi ka një objektiv të madh prej kohës dhe ai mban emrin e Kristian Eriksen. Danezi është në skadencë kontrate me Totenhemin dhe nuk kalon ditë ku nuk konfirmon dëshirën e tij për t’u larguar nga Londra. I interesuar mbetet edhe Real Madrid, por avantazhi i Juventus është se trajneri i madrilenëve, Zidan, preferon më shumë Pogba se Eriksen.

Kështu, bardhezinjtë kërkojnë të përfitojnë dhe të bëjnë një ofertë në janar për Eriksen. Italianët janë të gatshëm të ofrojnë kartonin e Rabio për të ndërruar lojtarët kokë më kokë. Një zgjidhje e cila mund të tundojë Totenhemin, pasi në këtë firmë nuk do të kishin nevojë për të kërkuar zëvendësuesin. Megjithatë, mbetet për t’u parë pasi gjatë kësaj kohe Rabio, mund t’ia ndryshoj mendjen trajnerit Sarri.  /Egi Çabeli-VipSport.al/