Nuhiu dhe Ujkani: Mali i Zi është si finale, në fushë futemi me mentalitet fituesi

Para ndeshjes së rëndësishme ndaj Malit të Zi, përfaqësuesja e Kosovës do të përballet në një test miqësor më datë 10 tetor ndaj Gjibraltarit. Para kësaj ndeshje, por edhe në lidhje me takimin që konsiderohet si finale ndaj Malit të Zi, në konferencë për shtyp kanë dalë dy futbollistët, Atdhe Nuhiu dhe Samir Ujkani. Sulmuesi dhe portieri ishin në një mendje teksa u shprehën se me Malin e Zi është një finale, megjithatë në fushë do të futen me mentalitet fituesi.

“Shpresojmë të kemi rezultat të mirë edhe me Malin e Zi. Ndeshja ndaj Gjibraltarit është test dhe parapërgatitje për Malin e Zi. Në Podgoricë kemi treguar cilësitë tona, por Mali i Zi ka ekip të fortë. Gjithsesi, ne luajmë në shtëpi ku e kemi përkrahjen e madhe të shikuesve. Do të futemi me mentalitet fituesi dhe duam të marrim pikët e plota. Edhe ndaj Malit të Zi do të luajmë me filozofinë dhe mentalitetin që e kishim deri më tashmë”, tha Nuhiu.

“Besoj që jemi në gjendje të mirë. Jemi grumbulluar dhe po përgatitemi për ndeshjen me Malin e Zi, që është si një finale për ne. Por, fillimisht të enjten e kemi Gjibraltarin, që është një test i mirë para kësaj ndeshjeje të madhe. Jemi optimistë për të vazhduar me ritmin e duhur. Ka ardhur koha që të provohen edhe lojtarët që nuk kanë luajtur shumë, pasi kemi mjaftueshëm lojtarë në ekip dhe të gjithë duan të tregojnë se janë të gatshëm. Për ne, çdo ndeshje është si finale dhe nuk duhet të shikojmë shumë tabelën. Duhet të provojmë të fitojmë dhe të grumbullojmë sa më shumë pikë deri në fund”, u shpreh Ujkani.