Një mungesë e sigurt dhe një tjetër në dyshim, Skënderbeu në siklet para Luftëtarit

Nuk është një moment i mirë për Skënderbeun teksa korçarët u mposhtën në kampionat javën e kaluar përballë Vllaznisë me rezultatin e thellë 4-0. Por, momenti negativ u pasqyrua edhe në ndeshjen e Kupës së Shqipërisë, ku pësuan disfatë  nga Devolli me rezultatin  0-2. Megjithatë, falë triumfit në takimin e parë, korçarët ia dolën të avancojnë për më tej.

Sakaq, këtë fundjavë kalendari i ka rezervuar juglindorëve takimin në shtëpi ndaj Luftëtarit. Një ndeshje e cila duhet fituar nga të besuarit e trajnerit Ilir Daja për të dalë nga kjo minikrizë që ka përfshirë skuadrën. Por, ndaj gjirokastriteve llogaritë duhen bërë me mungesën e sigurt të mbrojtësit Pollozhani, i cili ka plotësuar numrin e katër kartonëve të verdhë dhe për pasojë është i pezulluar. Ndërkohë, një dyshim i madh mbetet pjesëmarrja e mesfushorit Gjergji Muzaka.

Shpresat janë që futbollisti të jetë pjesë e ekipit nga stoli, për t’u vlerësuar më pas aktivizimi gjatë ndeshjes. Aktualisht, korçarët renditen në vendin e shtatë të klasifikimit me nëntë pikë, ndërsa gjirokastritët zënë vendin e nëntë me pesë pikë të grumbulluara.

/Egi Çabeli-VipSport.al/