Një kapiten i ri për Kombëtaren, shiriti ndryshon përsëri duar

Shiriti i kapitenit të kombëtare shqiptare, për një arsye apo një tjetër, nuk po gjen ende zot ashtu siç duhet . Qofshin këto dëmtime, pezullime, apo thjesht zgjedhje teknike, çështja e kapitenit është kthyer në një situatë paksa të çuditshme me shumë futbollistët që e kane mbajtur atë në vazhdimësi në vitet e fundit.

Që pas Ansi Agollit i cili e trashëgoi nga Cana, atë e kanë mbajtur me radhë Etrit Berisha, Jahmir Hyka, Mërgim Mavraj, Elseid Hysaj, Odise Roshi, Jahmir Hyka dhe Ledian Memushaj. Një qarkullim i pazakontë për një periudhë prej pak më shumë se një viti. Sot, shiritin e kapitenit e mban një tjetër futbollist për herë të parë, Amir Abrashi dhe zgjedhja ka rënë për shkak të eksperiencës së tij me fanellën kuqezi mes titullarëve në takimin e sotëm.

Kështu rezulton se Abrashi ka zhvilluar 34 ndeshje me fanellën e përfaqësueses shqiptare, ndaj 33 të Çikalleshit, i cili do të ishte kandidati i dytë në radhë për mbajtur shiritin dhe për të udhëhequr kuqezinjtë në fushë e lojës.

Në fillimin e edicionit, futbollistët e kombëtares votuan për të zgjedhur kapitenin mes tyre, me Mërgim Mavrajn që u bë zgjedhje e parë, ndërsa Hysaj e Basha si zëvendëskapitenë. Por Mavraj nuk është mes zgjedhjeve të Rejas për dëmtim, Hysaj gjithashtu, ndërsa Basha është tërhequr përfundimisht nga kuqezinjtë. /vipsport.al/