Nga Kategoria e Parë, titullar në Superiore, Mëllugja: Jam në kulmin e formës, në Ballsh shpërthej

Një nga pikat e forta të skuadrës së Bylisit këtë sezon është edhe mesfushori Donald Mëllugja. E ka nisur karrierën te Burreli, ku ka provuar që të luajë për 5 sezone, e më pas ka provuar edhe eksperienca të tjera në Kategorinë e Parë, me Ilirinë, por edhe me Besën nga një sezon. Verën e shkuar ai u bë pjesë e Bylisit në Superiore.

Një “provim” i vështirë, duke qenë se ishte hera e parë në elitë, por Mëllugja tashmë është në kulmin e karrierës dhe ka luajtur si titullarë në të shtatë sfidat e Superiores. “Kam luajtur me Burrelin dhe e kam pasur gjithmonë ëndërr që unë të luaja në Superiore, sepse është maksimumi për çdo futbollist në Shqipëri. Eksperiencat te Burreli, apo dhe Besa e Iliria më kanë ndihmuar që unë të jap më të mirën time te Bylisi. Jam 24 vjeç kam shumë për të dhënë dhe besoj se nga java në javë jam përshtatur me garën në elitë dhe me synimet që ka skuadra. Deri më tani kemi qenë në rrugë të mbarë për fat të mirë,” – tha Donald Mëllugja, mesfushori i qendrës së skuadrës së Bylisit.

“Në këtë klub më ka mbështetur presidenti dhe trajneri, por edhe lojtarët që janë këtu me eksperiencë, ne më të rinjve na mbështesin. Dua që të jem gjatë pjesë e projektit të Bylisit. Gara tashmë hyn në kulmin e vet, e dijmë që janë takime të vështira të gjitha, sepse këtu nuk mund të rikuperosh ashtu siç edhe ndodh në Kategorinë e Parë. Por, kam besim se ne do të ruajmë këtë ritëm, duke bindur me lojë dhe rezultate, madje do të marrim maksimumin edhe në Gjirokastër”.

E.S./Vipsport.al/