Nga Europa në Ballsh, Hadroj: Tani dua Shpresat

Andi Hadroj e ka kaluar dëmtimin që pësoi gjatë fazës përgatitore dhe pas operacionit në gisht tashmë është bashkuar me skuadrën. E madje ka qenë edhe titullarë në Kupën e Shqipërisë me Pogradecin ashtu si edhe në Laç në kampionat ishte në stol. Hadroj ka qenë pjesë e Laçit në elitë, ndërsa debutimin e ka bërë në Kupat e Europës dy vite më parë.

Tashmë qe është rikthyer, 20-vjeçari tregon momentin e vështirë që ka kaluar: “Gjatë fazës përgatitore jam dëmtuar dhe zgjati faza e rikuperimit. Isha përgatitur që të luaja dhe të tregoja veten në Superiore sepse e kam përjetuar shumë mirë faktin që skuadra u rikthye mes më të mirëve. Te Ballshi ndihem shumë mirë dhe tashmë jam rikthyer jam pak javë qe stërvitem me grupin dhe po punoj që të kap formën time më të mirë”.

“Për fat jam pjesë e një klubi që përkrah talentet dhe më vjen mirë që kam gjetur ngrohtësi nga presidenti si dhe nga trajneri apo stafi e shokët e ekipit. Unë do të jap me të mirën dhe mezi pres që të luaj edhe në kampionat. Bylisi po bën mjaft mirë dhe ecuria deri më tani është për t’u përgëzuar. Unë jam krenar që skuadra ku unë bëj pjesë po bën mjaft mirë në garën e Superiores. Dua që të kap Shpresën U-21 me Bylisin”, – tha pukjani 20-vjeçar, Andi Hadroj.

E.S./Vipsport.al/