Në prag të sfidës me Kukësin, Meksi: Skënderbeu ka ndryshuar, nuk kanë faj vetëm mbrojtësit

Këtë verë, pjesë e Skënderbeut u bë edhe mbrojtësi i djathtë, Jorgo Meksi. Një futbollist që në Korçë e panë si një surprizë gjatë verës, pasi vinte me një të kaluar në kampionatet helene. Jorgo Meksi, aktualisht 24 vjeç, me korçarët ka luajtur si titullarë thuajse në të gjitha takimet, duke u kthyer në një pikë të fortë në skuadrën bardhëkuqe.

Në një prononcim për “Rtshsport”, në prag të sfidës me Kukësin që luhet në stadiumin “Skënderbeu” ditën e shtunë, Meksi ka pohuar: “Jemi më të fortë pas ndërprerjes së garës dhe skuadra është gati për të qenë më solide në javët në vijim. Tashmë e njohim edhe më mirë njëri-tjetrin dhe kam besim se tani e tutje do të jetë një tjetër Skënderbe në fushën e blertë, duke filluar që nga ndeshja e radhës me Kukësin”, – tha Meksi.

Dëmtimet

“Skënderbeu ka pasur shumë dëmtime, që për mua kanë ndikuar dhe skuadra nuk ka qenë edhe aq e lidhur. Kjo ka ndikuar shumë edhe në ecurinë në javët e shkuara dhe ka sjellë mungesën e rezultateve pozitive në çdo sfidë”.

Mbrojtja

Sipas Meksit, që është edhe pjesë e repartit difensiv, nuk është vetëm faji i mbrojtësve që skuadra ka pësuar shumë gola në disa takime, në shtëpi dhe jashtë, por i tërë skuadrës. “Nuk mendoj se është vetëm faji te mbrojtja. Por, mendoj se tërë skuadra. Nuk mbrojmë që nga fillimi e deri në fund. Siç edhe na thekson trajneri duhet që të jemi më të përqendruar në kundërsulm”.

Kukësi

“Ndeshja është shumë e vështirë dhe e fortë dhe kundërshtari vjen që të marrë fitoren. Por edhe ne luajmë për të dalë me 3 pikë nga kjo ndeshje. Unë kam besim se do t’ia dalim, sepse ky Skënderbe nuk është si ai i fillimit të këtij sezoni”, – tha në fund të prononcimit të tij mbrojtësi titullar i skuadrës së Ilir Dajës, Jorgo Meksi.

E.S./Vipsport.al/