Ndeshja kundër Andorrës, vetëm një i pezulluar te kuqezinjtë dhe Reja rrezikon Francën

Ndeshja e radhës e përfaqësueses shqiptare të futbollit do të jetë ajo ndaj Andorrës në nëntor, një sfidë ku kuqezinjtë shpresojnë të marrin pikët e radhës me objektivin për të arritur Islandën dhe për t’i rrëmbyer vendin e tretë në grup. Për atë sfidë, skuadrës do t’i mungojë një element i cili është kthyer në shumë të rëndësishëm në radhët e saj, Klaus Gjasula.

Mesfushori u ndëshkua sot me kartonin e verdhë, i treti pas atyre të marrë ndaj Francës dhe Turqisë. Ky karton i verdhë do t’i kushtojë atij një ndeshje pushim, pikërisht ndaj një prej skuadrave më të dobëta të grupit me të cilën trajneri Reja nuk pritet të ketë shumë dhimbje koke për të zëvendësuar mesfushorin luftarak.

Por përkundër lajmeve që u përhapën pas ndeshjes, as Keidi Bare dhe as Sokol Çikalleshi nuk mungojnë për këtë takim, edhe pse janë ndëshkuar në dy ndeshje radhazi me karton të verdhë. Rregullorja në fjalë është ndryshuar prej kohësh dhe tani mungon një ndeshje gjatë fazës kualifikuese të turneut vetëm një lojtar i cili plotëson tre të verdhë, apo kur merr më pas të pestin.

Kështu, Bare dhe Çikalleshi janë ende në dispozicion të trajnerit dhe duhet të jenë të kujdesshëm nëse luajnë ndaj Andorrës që të mos ndëshkohen, pasi atëherë do të mungonin në sfidën kundër Francës. Për atë duel në listën e të paralajmëruarve që duhet të kenë kujdes e mos ndëshkohen me Andorrën janë Dermaku, Abrashi, Xhaka dhe vetë trajneri Reja. Cilido prej tyre merr një tjetër të verdhë, përfundon në tribunë për sfidën kundër kampionëve të Botës. /vipsport.al/