Mustafi nuk mban më: Tani po më akuzojnë edhe për ndeshje ku nuk luaj! Më ndihmoi gruaja

Shkodran Mustafi nuk mban më dhe u kundërpërgjigjet të gjithë atyre që e kanë masakruar në kritika dhe e shohin gjithnjë e më shumë larg Arsenalit. Në një intervistë të dhënë për “Der Spiegel”, mbrojtësi me origjinë shqiptare ka treguar versionin e tij të ngjarjeve, duke insistuar se nuk është plotësisht faji i tij, edhe pse pranon se ka bërë disa gabime.

“Nuk jam mbrojtësi i dytë më i keq në botë”, insiston ai, duke iu përgjigjur pyetjes rreth një sondazhi mes tifozëve që e kanë renditur si të tillë. “Do të dëshiroja të shihja si do të ishte rezultati me trajnerët më të mirë europianë që votonin. Kohët e fundit kam bërë disa gabime dhe ato kanë krijuar një problem të cilin nuk e kisha përjetuar asnjëherë më parë.

Jam shumë kritik ndaj vetes për të pranuar që kam bërë gabime. Mund t’i toleroj kritikat, por janë bërë irracionale dhe më kanë kthyer në një shënjestër. Ka arritur në atë pikë sa njerëzit tani më vënë fajin për humbje në ndeshje ku nuk kam luajtur”, shpërtheu futbollit me origjinë shqiptare i cili pranoi se bashkëshortja e tij, Vjosa, e kishte ndihmuar që të përballonte këtë trysni. “Ka ditë që dyshoj te vetja, por diçka që më tha gruaja ime më ndihmoi. ’Nëse do të ishe kaq i keq, nuk do të kishe qenë asnjëherë Kampion Bote dhe nuk do të të kishte blerë Arsenali’. Që atëherë i përjetoj gjërat më mirë”. tha Mustafi. /vipsport.al/