Mungon edhe një raund, ja pesë Kombëtaret që kanë siguruar kualifikimin në Europian

Fushatës kualifikuese të Euro 2020 po i vjen fundi teksa në muajin e ardhshëm do të luhen edhe ndeshjet e fundit për të përcaktuar skuadrat pjesëmarrëse në kompeticioni. Ndërkohë, falë takimeve të këtyre ditëve, deri më tani kanë arritur të sigurojnë kualifikimin pesë Kombëtare. Behet fjalë për Italinë, e cila gjatë këtyre eliminatoreve me trajnerin Roberto Mançini, patë një ecuri perfekte.

Të kaltrit kanë triumfuar deri më tani në shtatë ndeshje nga shtatë të tilla. Ndërkaq, edhe Belgjika ka mbyllur çështjen e kualifikimit teksa ka dominuar grupin, ndërsa këtë e tregojnë edhe statistikat. Belgët kanë shënuar deri tani 30 gola ndërsa kanë pësuar vetën një. Ndërkohë, nuk kanë lënë asnjë pikë rrugës duke i fituar të teta ndeshjet e grupit.

Nga ky grup, gjithashtu është kualifikuar edhe Rusia si vend i dytë në grup. Dy Kombëtaret e tjera të kualifikuara janë Polonia e Levandovskit dhe Ukraina e trajnerit Shevçenko. Këtyre Kombëtareve mund t’iu bashkohet sot në mbrëmje edhe Spanja, e cila luan përballë Suedisë dhe i mjafton barazimi për të prerë biletën e Europianit. Pas këtyre pesë ekipeve të zyrtarizuar, priten edhe 19 të tjerat për të plotësuar numrin e pjesëmarrësve.

/Egi Çabeli-VipSport.al/