Muçi i çon mesazh Memës: Dua të luaj më shumë, nuk e mendoj largimin nga Tirana

Ernest Muçi shënoi dy gola në ndeshjen miqësore që Shqipwria U-19 luajti ndaj bashkëmoshatarëve polakë. Muçi është rikthyer te skuadra “mëmë”, Tirana, pjesë e së cilës është prej tre vitesh, por tashmë ai ka tjetër “mendje”. Synon që të luaj sa më shumë duke i dhënë një mesazh edhe trajnerit Mema.

Në një prononcim për “Rtshsport”, në prag të sfidës me Laçin, Ernest Muçi ka pohuar: “Sigurisht që dy golat që kam realizuar me përfaqësuesen U-19 tregojnë që jam në një formë të mirë dhe më motivojnë që të punoj edhe më shumë në të ardhmen”.

Muçi, e ka sezonin e tij të tretë si pjesë e Tiranës, e madje ai ka provuar që të shënoj edhe gola me bardheblutë në kampionat, ndaj edhe shpreson që të ketë më shumë hapësira. “Normalisht që vitet kalojnë dhe unë fitoj më shumë eksperiencë. Kam kërkesa të mëdha ndaj vetes, kështu që do të punoj më shumë, por shpresoj që edhe te Tirana të kem shanse të luaj më tepër. Nuk e kam menduar kurrë largimin apo huazimin. Jam pjesë e një grupi shumë të mirë”, – tha Muçi mes të tjerave.

E.S./Vipsport.al/