Mesit i dorëzohet ‘Këpuca e Artë’, argjentinasi: Kampionati më i rëndësishëm se Champions

Lionel Mesi ka marrë ditën e sotme Këpucën e Artë. Një çmim që i jepet golashënuesit më të mirë në pesë kampionatet kryesore të Europës. Kjo ishte e gjashta për argjentinasit, i cili në sezonin e shkuar ia doli të linte pas Kilian Mbape. Sakaq, gjatë fjalës së tij në momentin e ceremonisë, ‘pleshti’ u shpreh se Champions League është e veçantë, por La Liga është më e rëndësishmja.

“ Faleminderit ju që jeni këtu prezent. Familja ime veçanërisht. Këtu është edhe Hordi dhe Luis, të dy shumë të rëndësishëm që unë jam këtu. Pa shokët e skuadrës nuk do të mund të fitoja asnjë, i jam mirënjohës të gjithëve.

Champions? Sigurisht Champions është diçka speciale dhe kërkojmë ta fitojmë në çdo vit por La Liga është më e rëndësishme, është ajo që të bën mirë më pas në Ligën e Kampionëve dhe në Kupë. Edhe pse flasim për Champions, asnjëherë nuk harrojmë kampionatin dhe Kupën. Te Barcelona gjithnjë synojmë t’i fitojmë të gjitha”, u shpreh Mesi.